MAGAZINA

Roger Federer, i pa-moshë

Roger Federer, i pa-moshë

8 Shkurt, 2018 @12:49

Shkruan: Blerim MYFTIU

-

Me të 37-at, Federeri i bën ballë edhe temperaturës, edhe operacioneve, edhe lojtarëve përgjysmë më të rinj se ai. Kur pyetet për pensionim, thotë se “ky nuk është viti im i fundit”!
Dekadën e fundit të tenisit mashkullor e ka dominuar në kuptimin e plotë të fjalës, e ashtuquajtura “katërshe e madhe”. Roger Federerit dhe Rafael Nadalit, diç më të vjetër në moshë, i janë bashkuar gradualisht Novak Djokovići dhe Andy Murray. Dominimi mund të përshkruhet kaq thjesht me numra: Nga 52 Grand-Slamët e fundit (prej Roland-Garrosit të 2005-s deri në Australian Openin e sivjetmë që përfundoi para 10 ditësh), 47 janë fituar nga katërshja e lartpërmendur. Vetëm në tri raste Stan Wawrinka dhe nga një herë Juan Martín del Potro e Marin Čilić kanë arritur ta thyejnë këtë “monotoni”. Mund të themi se këta të tre kanë arritur të nxjerrin kokën kryesisht në vitet në 2015 dhe 2016, gjatë dy viteve kur të madhërishmit Federer dhe Nadal kanë pasur probleme shëndetësore, kurse Djokovići dhe Murray kanë qenë gjysmë të shëndoshë dhe jo aq dominues sa Federeri dhe Nadali.

Federer

Madje kanë qenë edhe vite kur shpesh janë parashtruar pyetje nëse zvicerani dhe spanjolli do t’i kthehen më tenisit dhe do të arrijnë t’i kapin majat e sportit të bardhë. Mirëpo, 2017-a ka qenë plotësisht vit i rilindjes së duelit ndër më të bukurit, më sportivët dhe më interesantët, atij Federer-Nadal. Kur Federeri triumfoi në turneun australian të 2017-s, do të mund të supozohej se ishte një protagonizëm rasti. Kur Nadali triumfoi në Roland-Garrosin e 2017-s, do të mund të mendohej se terreni me dhé është specialiteti i tij dhe këtë e ilustron fakti se ka qenë Roland-Garrosi i dhjetë i fituar nga ana e tij. Por fundi i 2017-s na gjeti edhe me nga një Grand-Slam për Federerin (tashti në terrenin e tij të barit në Wimbledon) dhe Nadalin (në US Open). Minimizuesit mund të thonë se Djokovići, Murray, Wawrinka dhe Raonići qenë të lënduar, të gjithë prej tyre pothuajse 6 muaj janë jashtë terrenit dhe se fusha u ka mbetur këtyre dy “të moshuarve”! Por, jo gjithkush është Federer apo Nadal!

Me 37 vite kundër 37 gradëve Celsius

Roger Federeri është njëri prej tenistëve më konsistentë të 15 viteve të fundit. Ai u rikthye nga operacioni i gjurit në fusha dhe arriti që pas një pushimi 4-vjeçar e gjysmë të triumfojë në Australian Open më 2017. Ishte tenisti më i suksesshëm i vitit, sezoni 2017 ishte më i miri pas atij 2007. Pas Melbournit, e fitoi Mastersin e 25-të në Indian Wells, pastaj të 26-in në Majami, fitoi në barin e Halles për të nëntën herë dhe qershia erdhi me triumfin e tetë rekord në Wimbledon, duke u vendosur në pozitën e tretë të ranglistës së ATP-së. Në US Open u eliminua në çerekfinale, por në Shanghai e fitoi Mastersin e tretë të sezonit. Në turneun e vendlindjes së tij në Basel është i rregullt, prandaj edhe këtu fitoi për të tetën herë rekord dhe sezonin e përmbylli me humbjen në finale të Turneut Final të ATP-së në Londër nga belgu David Goffin.

Federer

Vitin e ri 2018, lartmadhëria e tij e priti i dyti, pas Nadalit. Ky i fundit ia dorëzoi meçin Marin Čilićit në çerekfinale të Melbournit për shkak të lëndimit. Djokovići pati rikthim të pasuksesshëm, duke dorëzuar po ashtu meçin (pas rishfaqjes së lëndimit të bërrylit për të cilën gjë u operua javën e kaluar). Por, Federeri ishte tenisti i gatshëm, në formë, që përkundër temperaturave përvëluese dhe ndeshjeve me kërkesë të madhe, u bëri ballë rend kundërshtarëve shumë më të rinj se vetja, në rrugëtimin drejt Grand-Slamit të 20-të të karrierës.

I privilegjuar?

Në adresë të tij ka shpesh thumbime si nga gazetarët, ashtu edhe nga kolegët tenistë, që Federeri favorizohet gjatë përcaktimit të orarit. Në Wimbledonin e vjetëm pati kritika se Federeri gjithmonë luan në terrenin qendror dhe në terminët e freskëta të pasdites së vonë dhe të mbrëmjes. Edhe gjatë turneut të sivjetmë australian, madje edhe Nadali, pati një thumbim për zviceranin që pjesa më e madhe e ndeshjeve të tij qenë vendosur të luheshin në mbrëmje, atëherë kur temperaturat ishin pak më të freskëta.
Madje, “u pa e madhe” vendimi i organizatorëve që ta mbyllnin kulmin e terrenit qendror për ndeshjen finale kundër Čilićit. Mbyllje të cilën nuk e kishin bërë për finalen e femrave të një dite më parë ndërmjet Caroline Wozniackit dhe Simona Halepit, që po ashtu u luajt në temperatura tropikale.

Federer

Sa herë që ka kritika të tilla, duket se bëhen më tepër për të mbuluar paaftësinë e dikujt tjetër për t’i bërë ballë një sportisti dhe tenisti, i cili përkundër kalimit të moshës (e cila konsiderohet vonë për një sportist profesionist) vazhdon të mbetet gjithnjë në maje të punës që bën. Gjatë këtyre 15 viteve, shumë të tjerë që u proklamuan si shpresa, si tenistë në ardhje, së rrezikues të fronit, u paraqitën në skenë; por asnjëri prej tyre nuk e pati ndikimin, rezistencën dhe jetëgjatësinë e Federerit.
Sa herë që pyetet kur do të vijë fundi, shmanget ende nga dhënia e përgjigjes së prerë. Pohon me buzëqeshje, kokëfortësi të fshehtë, se viti 2018 nuk do të jetë i fundit për të. Të njëjtën e thotë edhe Nadali. Urojmë të mos e thonë kurrë të kundërtën, ngase shpresojmë të shohim edhe ca duele të tjera të paharruara dhe emocionale. Rrofsh gjatë, në terren, Federer!

Borozani.com